Ministria e Brendshme nuk do të ndjekë shtriga, por kriminelë dhe persona ish zyrtarë vetëm të cilët kanë dëmtuar buxhetin dhe interesat shtetërore.
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski tha se nuk do të ketë më emra të paprekshëm.
Këtë porosi ia adresoi opozitës shqiptare nga e cila Toshkovski ditë më parë u akuzua në Kuvend se përmes kallëzimeve penale të pabaza po tenton të mbjell frikë.
“Dua të ju paralajmëroj se Ministria e Brendshme në bazë të fakteve dhe dëshmive do t’i vazhdon të gjitha procedurat që i posedon, e përsëris në bazë të dëshmive dhe fakteve për secilin që ka qenë i paprekshëm dhe emri të cilëve nuk ka guxuar as të përmendet në organet hetuese e aq më pak të hetohet”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.
Në kuadër të debatit për zgjedhjen e zëvendësministrave në Kuvend, shumica lakoi emrat e familjarëve të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti si të dyshuar për vepra penale.
Deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti tha se veprimet e tilla nuk e frikësojnë frontin dhe se kryeministri dhe deputetët nuk duhet ta marrin rolin e prokurorëve dhe gjykatësve.
“Nuk na shqetësojnë aspak tendencat për të cilat ju mendoni se duke përmendur familjar ndaj të cilëve është ngritur procedurë. Atë as nuk ua qajmë për trimëri dhe as nuk e marrim për dobësi dhe frikë. Gjithkush para ligjit do të përgjigjet njësoj siç thotë ligji”, u shpreh Blerim Bexheti, Deputet i Frontit Evropian.
Akuzat mes pushteti dhe opozitës për emrat e familjarëve të liderëve erdhën pak ditë pasi policia ngriti kallëzim penal ndaj Drin Ahmetit, nipi i kreut të BDI-së, Ali Ahmeti i cili sipas policisë dyshohet se ka keqpërdorur me minierën në Kërçovë dhe nuk ka zbatuar marrëveshjen e lidhur me Ministrinë e Drejtësisë, përkatësisht nuk ka paguar kompensimin për shfrytëzimin me koncesion të minierës.