Maqedonia e Veriut do të intensifikojë betejën për ajër të pastër. Ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti paralajmëron një sërë projektesh, në mesin e të cilave ndërrimin e sistemeve të ngrohjes në 70 objekte në 4 komuna si dhe furnizimin me 6 autobusë ekologjikë për mbështetje të transportit publik në kryeqytet. Ministri i Bujqësisë nga ana tjetër, paralajmëron uljen e importit të ushqimit dhe thotë se vendi përsëri do të bëhet shtet bujqësor në kuptimin e plotë të fjalës.
“Janë planifikuar këto aktivitete; Ndërrimi i sistemeve të ngrohjes në 70 objekte publike në 4 komuna, Shkup, Manastir, Tetovë, Kumanovë. Furnizimi i 6 autobusëve ekologjik për të mbështetur transportin publik në Shkup. Furnizimi I 6mijë fidanëve dhe shpërndarja e tyre në të 4 qytetet. Përpunimi i studimit të fizibilitetit për zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit të ngrohjes në Shkup. Furnizimi i pajisjeve të monitorimit të ajrit”, tha Izet Mexhiti, Ministër i Mjedisit Jetësor.
“Përmes programeve tona, edhe të ministrisë edhe të Qeverisë, Maqedoninë duhet përsëri ta kthejmë në shtet bujqësor në kuptimin e plotë të fjalës. Të gjitha të dhënat statistikore flasin se në të kaluarën Maqedonia më shumë importonte ushqim, shpenzonte mjete devizore, plani ynë është që para se gjithash ta kthejmë besimin e bujqve te institucionet”, deklaroi Cvetko Tripunovski, Ministër i Bujqësisë.