Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Lejen, përsëriti qëndrimin tashmë të njohur të Unionit se hapja e grupkapitullit të parë me Maqedoninë e Veriut do të bëhet pas zbatimit të ndryshimeve kushtetuese. Pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski, Von der Leyen përgëzoi Maqedoninë e Veriut për arritjet dhe reformat që ka realizuar, dhe për këtë njoftoi se Bashkimi Evropian ka ndarë 750 milion euro nga plani për rritje dhe zhvillim.
“Kemi qëllim të qartë, ai është të hapet grupkapitulli “vlerat themelore” sa më shpejtë të jetë e mundur. Pothuajse jemi aty, duhet të kalojnë ndryshimet kushtetuese të cilat shteti juaj u pajtua se do t’i bëjë dhe me një dialog të përbashkët shpresoj se të gjitha forcat politike në vend do të bashkohen dhe do t’i ndërmarin hapat e nevojshme kyçe për përparim dhe jam e bindur se mund t’i tejkalojmë pengesat të cilat ekzistojnë”, deklaroi Ursula von der Leyen – Kryetare e KE-së.
Kryeministri Mickoski nga ana tjetër përsëriti për të disatën herë me radhë se ka plan për zhbllokimin e integrimit, por nuk dha detaje se si. Ai nuk e përmendi fare as letrën që planifikonte t’ia dërgojë krerëve të BE-së.
“Por, presim që Bashkimi Evropian bashkë me ne do të ndihmojë në gjetjen e mënyrave si të vazhdojë rruga jonë drejt integrimit evropian, njëkohësisht duke vërtetuar qëndrimet legjitime të qytetarëve tanë se në të ardhmen nuk do të përballemi me kërkesa të cilat janë thellësisht në kundërshtim me idetë dhe vlerat mbi të cilat shtrihet vet Bashkimi Europian. Presim nga Bashkimi Europian të njohë përparimin tonë dhe të vazhdojë të na jep mbështetje në këtë proces. Mbështetja është shumë e rëndësishme”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Nëse Kryetarja e Komisionit Evropianm Von der Leyen sot u prit me nderimet më të larta shtetërore nga Mickoski, para dy viteve kur VMRO DPMNE-ja ishte në opozitë, pritje ishte krejt ndryshe. Gjatë vizitës së saj në Shkup në korrik të vitit 2022 e kur duheshte të prezantohet propozimi francez për marrëveshje me Bullgarinë, VMRO-DPMNE dhe Levica e patën pritur me pankarta duke i thënë “JO” atij propozimi. ndërsa derisa ajo mbante fjalim, deputetët bërtisnin fjalë të ndryshme si tradhëtarë, fashistë, identiteti nuk shitet e të tjera.
Von der Layen nga Shkupi do të udhëtojë për në Bosnje, e më pas do të vizitojë dhe Serbinë, Kosovën dhe Malin e Zi.