BDI-ja “rojë e gjuhës”, gjatë qeverisjes kishte tentuar t’u impononte shqiptarëve shumë zgjidhje si të mira për to, ndër to edhe termin “ilinditase” si term që, sipas tyre, përfshinte edhe identitetin shqiptar, në kohën kur po kërkohej zgjidhje e përbashkët me Greqinë për çështjen e emrit në vitin 2018. Pasi njoftoi për një zgjidhje të mundshme në rrjetet sociale, zv.kryeministri i atëhershëm Bujar Osmani u përball me kritika për shkak se propozimi nuk pasqyronte karakterin multietnik të vendit. Osmani dhe BDI-ja nisën një fushatë lobimi me të cilën u përpoqën t’i bindin shqiptarët se Republika Ilinditase e Maqedonisë përfshinte në vete edhe historinë dhe identitetin shqiptar.
“Bëhet fjalë për propozimin “Republika Ilinditase e Maqedonisë” duke shtuar si mbiemër emrin e kryengritjes së përbashkët maqedono-shqiptare të viti 1903 kundër perandorisë otomane. Asokohe në këtë kryengritje formohet Republika e Krushevës e cila zgjat vetëm 10 ditë por qeveria e saj proporcionalisht përbëhet nga dy ministra shqiptarë, dy maqedonas, dy vlleh. Dhe kjo flet për kohezion dhe bashkëpunimin shqiptaro-maqedonas në ndërtimin e këtij shteti që para 115 viteve. Dhe në fakt sot ne po përsërisim manifestin e para 115 viteve se ky është një shtet i përbashkët maqedono-shqiptar i cili perspektivë në NATO dhe në BE”, pati thënë Bujar Osmani, ish zv.kryeministër.
Propozimi ishte kritikuar edhe për përkthim joadekuat në shqip.
“Mendoj se nuk shkon dhe nuk i përshtatet natyrës së gjuhës shqipe Ilinditase sepse bëhet fjalë për një shenj që është Ilija. Nëse në gjuhën shqipe përkthehet sipas normave gjuhësore do të ishte dita e Ilisë dhe jo Ilinditase. Ky defekt i përpjekjes për të na imponuar një emër bazohet në tre komponentë. Njëri është gramatikor që e shpjegova, tjetri historik dhe ideologjik që nuk është në favor të shqiptarëve dhe i treti në aspektin fetar. Nëse i kthehemi historisë dhe i shohim të gjitha ngjarjet që kanë të bëjnë me termin Ilinden neve si shqiptar nuk e shohim askund veten aty”, pati reaguar Vebi Bexheti, profesor.
Ai për këtë zgjidhje garantonte votat shqiptare në Kuvend për t’u siguruar 2/3 e nevojshme për ndryshimin e emrit. Propozimi ra më vonë, për shkak të mospajtimit nga Greqia.
“Ajo është një datë që i lidh edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, pavarësisht që ka edhe mendime të kundërta se gjoja se kryengritja e Ilindenit nuk ka qenë e përbashkët, nuk kanë marrë pjesë edhe shqiptarët. Dhe unë tani këtu nuk dua të bëj pjesën e historisë”, pati deklaruar Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ilindeni të përkthehet Ilinditase?
Sigurisht se çdo emër e ka dhe një gjenezë, e ka një fillim. Edhe Ilinditase pati një fillim. “Ilinditase” zgjati po aq sa zgjati edhe kryengritja e Ilindenit.”