Shtetet e Bashkuara po hetojnë rrjedhjen e dy dokumenteve shumë të klasifikuara të inteligjencës që detajojnë përgatitjet izraelite për sulme hakmarrëse kundër Iranit, tha sot Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.
Dokumentet, që besohet se janë përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Inteligjencës Gjeohapësinore, përshkruajnë interpretimet e SHBA-së të veprimeve të planifikuara nga Forca Ajrore dhe Marina izraelite bazuar në imazhet satelitore të marra më 15 dhe 16 tetor. Dokumentet filluan të qarkullojnë në aplikacionin e mesazheve Telegram javën e kaluar.
Izraeli po planifikon një përgjigje ndaj sulmit me raketa balistike të Iranit më 1 tetor, i cili ishte sulmi i dytë i drejtpërdrejtë në vend në gjashtë muaj.
I pyetur për rrjedhjen e dokumenteve në një intervistë me televizionin amerikan CNN, Johnson tha se “një hetim është duke u zhvilluar dhe unë do të jap informacion brenda dy orësh”. “Ne po e ndjekim (rastin) nga afër,” shtoi ai.
New York Times raportoi se zyrtarët pranuan se dokumentet ishin autentike, por se ato me gjasë përfaqësonin vetëm një pjesë të informacionit që Shtetet e Bashkuara kishin në lidhje me planet e aleatit të tyre të ngushtë.
Dokumenti i parë përshkruan përgatitjet e Forcave Ajrore izraelite për një sulm kundër Iranit dhe i dyti një stërvitje që përfshin përdorimin e forcave të mëdha të armatosura. Ky i fundit përshkroi përgatitjet për sulme të mundshme me dron kundër Iranit.
Presidenti i SHBA Joe Biden, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve javën e kaluar, tha se ai kishte një ide të mirë se kur dhe si Izraeli do të sulmonte Iranin. Por ai tha gjithashtu se sheh një mundësi për t’i dhënë fund sulmeve hakmarrëse nga dy vendet armiqësore.