Liderët e vendeve të rajonit i janë bashkuar liderëve ndërkombëtarë në urimet drejtuar Donald Trampit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shkruan: “Ka qenë nder të punoj me ju sa keni qenë president për t’i forcuar lidhjet në mes të të dyja shteteve. Do të kem privilegjin të punoj me ju si presidenti i 47-të, për të rritur partneritetin për paqe dhe përparim të mëtejmë”.
Trampin e ka përgëzuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. “Shtetet e Bashkuara mbesin partnere të palëkundura dhe të domosdoshme të Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re, dhe të thellojmë lidhjet tona unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë”, ka thënë Osmani përmes një postimi në X.
Të menjëhershme kanë qenë urimet edhe nga Serbia. “Urime Donald Trump për fitoren tuaj. Së bashku, përballemi me sfidat serioze që kemi përpara. Serbia është e angazhuar të punojë me SHBA-në për stabilitet, rritje dhe paqe”, shkroi presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Fitoren e Trampit e ka mirëpritur edhe presidenti prorus i Republikës Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili është në listën e zezë të SHBA-së. “Një nga fitoret më të rëndësishme elektorale në historinë e fundit të SHBA-së, por edhe të botës,” shkroi Dodik në X.