Rikthehet në Kuvendin e Shqipërisë pas 11 muajsh mungesë, kreu I PD-së, Sali Berisha. Duke akuzuar shumicën, ai tha se u kthye “për të udhëhequr opozitën drejt fitores”.
“Unë erdha, ju e dini vetë. E shoh çehren që ju ka rënë, por ja bëtë vetes dhe ju qofshi. (00.41-00.51) Edi Rama mendoi se realizoi ëndrrën e tij, që të mos shihte më në këtë sallë Sali Berishën”, deklaroi Sali Berisha, kreu i PD.
Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot për të diskutuar për buxhetin e vitit 2025, në vlerën prej 8.2 miliardë euro. Socialistët rrëzuan me 72 vota kundër amendamentet e opozitës. Në buxhetin e projektuar, fokusi kryesor do të jetë tek infrastruktura rrugore, arsimi, shëndetësia, si dhe do të përfitojnë edhe ministria e ekonomisë dhe e mbrojtjes. Edhe në këtë seancë, nuk munguan debatet mes partive.
Pas daljes nga Kuvendi, Sali Berisha ka sulmuar ministrat gjatë një komunikimi me mediat në oborrin e Parlamentit.
“Këta janë njerëz që nuk dëgjojnë as zërin e Zotit, as të xhamisë, as të kishës, as të teqesë, të njeriut. Janë verbuar nga luksi. Këta janë një grup bixhozxhinjsh që lënë shuma përrallore në kazino dhe mejhane dhe nuk duan t’ia dinë”, shtoi Sali Berisha, kreu i PD.
GJKKO e liroi nga arresti shtëpiak Sali Berishën ku ndodhej që prej dhjetorit të vitit 2023. Ai akuzohet për korrupsion pasiv, privatizimin e ish kompleksit Partizani.