Maqedonia e Veriut

Seanca e kushtetueses për Ligjin e gjuhëve / Mexhiti: Kush prekë Marrëveshjen e Ohrit, prekë marrëdhëniet ndëretnike

Seanca e 11 dhjetorit e Gjykatës Kushtetuese, ku në rend dite është shqyrtimi i lëndës për nismat që kanë kontestuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, sipas opozitares BDI është dita kur mund të ndryshohet gjithçka, por shtojnë se përgjegjësia për pasojat nuk do të jetë e tyrja. Nga BDI thonë se ky Ligj është një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit dhe të bashkëjetesës ndëretnike; dhe se çdo përpjekje për të shfuqizuar cilëndo dispozitë të këtij ligji nuk është thjesht një veprim juridik, por është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit dhe paqes që ky vend ka ndërtuar me shumë sakrifica.

“BDI e konsideron këtë moment si një pikë kritike, ku çdo veprim që synon të prishë këtë balancë delikate është kapërcim i Rubikonit. Nëse një herë kjo vijë kalohet, nuk do të ketë më kthim pas! Nëse Gjykata Kushtetuese vendos të shkatërrojë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit, pasojat do të jenë të parikuperueshme, dhe ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për atë që mund të pasojë”, thonë nga BDI.

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, i pyetur rreth kësaj seance, tha se ligji për përdorimin e gjuhëve del nga Marrëveshja e Ohrit dhe kush e prekë këtë marrëveshje, ka prekur marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.


“Unë ftoj edhe institucionet edhe qytetaret që ta marrin me gjakftohtësi këtë punë. E ftoj edhe Gjykatën Kushtetuese ta sheh këtë edhe si çështje politike jo vetëm juridike për shkak se ligji i gjuhëve del nga Marrëveshja e Ohrit që është shtyllë e këtij shteti, kushtetuta e re është ndërtuar mbi MO-në. Kushdo që prek Marrëveshjen e Ohrit ka prekur marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin e këtij shteti”, tha Izet Mexhiti, zv.kryeministër i parë.

Kryeministri Hristijan Mickoski nuk deshi të komentonte shumë për seancën e kushtetueses. Tha se gjykatësit aktualë janë zgjedhur nga LSDM dhe BDI dhe se nuk e ka të qartë se pse tani i kritikojnë pikërisht ata që i kanë zgjedhur.

“Shikoni, këto janë gjykatës kushtetues të zgjedhur nga ana e shumicës së udhëhequr nga LSDM-ja dhe BDI-ja. Unë as që i njoh ata gjykatës, as nuk e di cilët gjykatës janë atje. Përkundrazi, disa edhe i kemi sulmuar. Por, të presim, të vij data 11 dhe të shohim se si do të zhvillohet e gjithë kjo”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

Në lidhje me këtë temë, reagoi edhe Gjykata kushtetuese. Prej atje thonë se nuk do t’i komentojnë qëndrimet e askujt. Seanca në të cilën do të debatohet për Ligjin për përdorimin e gjuhëve është caktuar për më 11 dhjetor. Pas mbarimit të seancës do të mbahet konferenca e rregullt për media ku do të jepet përgjigje për të gjitha pyetjet, thuhet në reagimin me shkrim të Gjykatës kushtetuese.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ju Gjithashtu Mund Të Pëlqeni

Copyright © 2024. Rinosnews

Exit mobile version