Qeveria e Kosovës mirëpriti mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Dy qeveritë nënshkruan tre memorandume për bashkëpunim. E para ka të bëjë me energjetikën, zhvillimin e bashkëpunimit për shkëmbim të energjisë elektrike, gazit dhe potencialeve të tjera energjetike. E dyta, ka të bëjë me vendkalimet e përbashkëta kufitare në Bllacë dhe Jazhincë, ku lëvizja do të bëhet sipas modelit “one stop”, gjegjësisht, policët do të punojnë në një ndërtesë. E treta, ka të bëjë për bashkëpunim në fushën e arsimit.
“Në atë drejtim janë edhe protokollet dhe dy memorandumet që ministrat tanë i nënshkruan sot në lidhje me lehtësimet e lëvizjes së lirë, bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe arsimit, përkatësisht e para ishte protokolli për zbatimin e marrëveshjes për pika të përbashkëta të kalimit kufitar Hani Elezit – Bllacë dhe Jazhincë – Glloboçicë”, tha Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës.
Gjatë konferencës së përbashkët të dy kryeministrave, kreu i qeverisë së Kosovës u pyet për fatin e gjuhës shqipe në Maqedoni. Ai tha se shpreson për një vendim të drejtë nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, shprehet se shqipja asnjëherë s’ka qenë gjuhë zyrtare.
“Nuk ka në Maqedoni të Veriut ligj për përdorimin e gjuhës shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston ligji për përdorimin e gjuhëve që e përmendë shifrën prej 20% por ai nuk është ligj për përdorimin e gjuhës shqipe. Është ligj për përdorimin e gjuhëve. Kjo është e para. Në anën tjetër, besoj që të gjithë duhet të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje”, shtoi Albin Kurti – Kryeministër i Kosovës.
Duke komentuar shqetësimet e BDI-së dhe Frontit Europian lidhur me gjuhën shqipe dhe ngjarjet politike, kreu i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, thotë se këto tema janë të panevojshme dhe krijohen nga njerëz që nuk kanë çfarë të ofrojnë.
“Tema etnike hapin politikanë të cilët nuk kanë ide, të cilët kanë mungesë të ideve reale të cilat zgjidhin probleme reale për nevojat reale të qytetarëve. Atëherë ata nuk dinë si të tërheqin vëmendje dhe në këtë mënyrë, përmes manovrave politike vendosim të animojnë publikun”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër i RMV-së.
Prandaj Mickoski premton të ardhme më të mirë.
“Ne themi tani do ta shpërndajmë atë mjegull, dhe do të shohim qartë drejt së ardhmes, në procesin e reformave, ristrukturimin e shteteve tona, luftë kundër krimit dhe korrupsionit dhe kjo është dëshira dhe vizioni ynë si dy qeveri. Dhe kështu do të vazhdojmë në të ardhmen të funksionojmë”, shtoi Hristijan Mickoski – Kryeministër i RMV-së.
Në takimin mes dy qeverive, mungoi zv.kryeministri Ivan Stoillkoviq. Për të, Mickoski tha se kishte dëshirë të flaktë për të qenë prezent, por se nuk ka mundur të jetë prezent për shkak obligimeve të tjera. Mbledhja e ardhshme e Qeverisë së Maqedonisë, do të jetë me atë të Serbisë më 22 nëntor, ditën e alfabetit të gjuhës shqipe.