Të dielën nis llogaritja dimërore e kohës që nënkupton kthimin e akrepave për një orë mbrapa duke bërë që ora tre pas mesnate të kthehet në orën dy. Njëkohësisht, lëvizja e akrepave do t’ju mundësoj qytetarëve një orë gjumë më shumë. Mirëpo, qytetarët kanë vlerësime të ndryshme kur bëhet fjalë për gjumin duke shtuar se kategoria e pensionistëve vazhdimisht kanë kohë për të bërë gjumë të bollshëm.
“Do të flini më shumë nesër? Unë jam pensionist dhe nuk dihet kur fle e kur jo”, tha një qytetar.
“Pak e çuditshme derisa të adaptohemi”, u shpreh një qytetare.
Janë të shumtë qytetarët të cilët thanë se ndryshimi i orës ndikon negativisht në organizmin e njeriut, duke përfshirë aspektin fizik dhe psikik. Madje, ata vlerësojnë se më e përshtatshme do të ishte një llogaritje kohore.
Ndryshimi i orës dhuron një orë më shumë gjumë gjatë natës, mirëpo sjell një orë më pak dritë gjatë pasdites, pasi agimi dhe perëndimi do të ndodhin një orë më herët. Llogaritja dimërore e kohës do të qëndrojë në fuqi deri të dielën e fundit të muajit mars të vitit 2025, kur ora verore do të hyjë sërish në fuqi në orën 3 të mëngjesit. Ndryshimi i orës në Evropë u vendos në vitin 1981. Zhvendosja e akrepave në Evropën Perëndimore është vendosur në fillim të viteve të ‘70-ta me shpjegimin se me këtë “zgjatet” dita, rritet produktiviteti, përmirësohet aftësimi i njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.