Katër krerë komunash të udhëhequra nga kuadro të koalicionit VLEN ranë dakord që të bashkëfinancojnë projektet e akademikëve shqiptar, si dhe të bëjnë pagesën e qerasë së lokalit ku është e vendosur Shoqata e Akademikëve shqiptarë për shkencë dhe kulturë. Kjo marrëveshje u arrit sot pas takimit që kryetarët e komunave të Tetovës, Gostivarit, Zhelinës e Çairit, zhvilluan bashkë me përfaqësuesit e Akademisë Shqiptare për shkencë, art e kulturë.
“U dakodruam për udhëtimin e këtij projekti të rëndësishëm në të gjitha fushat, si të organizimit akademik, formalo-juridik por edhe të përkrahjes financiare që fillimisht do të nis si përkrahje nga katër komunat. Pra, edhe një herë ne si katër komuna të udhëhequra nga kryetarë shqiptarë, shprehim përkrahjen e parezervë për këtë projekt të rëndësishëm kombëtar dhe tregojmë përkushtimin tonë që në të ardhmen deri në institucionalizimin e kësaj ideje të jemi pranë këtij projekti të rëndësishëm kombëtar”, deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Kasami tha se po punohet edhe në drejtim të zgjidhjes ligjore të kësaj nisme, gjë që mbështetet edhe nga krerët e VLEN-it.
“Propozimi që është dhënë për zgjidhje ligjore të kësaj ideje do të analizohet brenda koalicionit VLEN dhe nëse do ketë nevojë do organizojmë edhe një debat publik me prezencë të deputeteve të koalicionit por edhe deputetëve të tjerë të parlamentit. Në mënyrë paralele po punojmë edhe me partnerin tonë të qeverisë që sa më shpejtë dhe sa më mirë ky projekt të gjej zgjidhje ligjore. Për momentin bëhet fjalë për një organizim që më mirë është gjetur brenda ligjeve aktuale, por në të ardhmen si VLEN do angazhohemi që ky projekt të ketë edhe zgjidhje ligjore”, shtoi : Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Sipas pjesëtarëve, nevoja për një Akademi Shqiptare vjen si pasojë e refuzimit të shkencëtarëve shqiptarë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, ku ka vetëm një akademik shqiptar. Akademia tashmë ka nisur përpilimin e projekteve të para shkencore, ndërsa hulumtimi i parë, do të jetë hulumtimi që ka të bëj me testet PISA dhe faktin që nxënësit shqiptarë në Maqedoni janë treguar më të dobët nga bashkëmoshatarët e tyre të komunitetit maqedonas.