Varret e para “të shpirrosur” janë zbuluar në vitin 1957, gjatë ndërtimit të rrugës për te penda e Likovës. Në vitin 1963 është ndërmarrë iniciativë për gërmime arkeologjike dhe është zbuluar një mumie e tillë, ndërsa në vitin 1968 nga ana e Institutit Arkeologjik të Beogradit, janë zbuluar edhe 3 varre të tilla.
Arkeologu pjesëmarrës në atë ekspeditë hulumtuese, Ivan Mikulçiq, në librin e tij “Qytetet antike në Maqedoni) (origjinal: “Антички градови во Македонија”), e shpjegon trupin e mumifikuar të një burri të moshës 50-60 vjeçare, me flokë të gjata, me mjekër dhe mustaqe, i veshur me këmishë dhe me brekë të gjata. Nën kokë ka pasur fleta prej lisi, të mbledhura për ta shfrytëzuar si jastëk, ndërsa rreth kokës ka pasur një gjë si rreth (kurorë) me 9 pjesë strall të bardhë të thyer. Afër kokës ka pasur një bisht të prerë të flokëve të femrës, si dhe copëz të kreshtave të kalit.
Në një lartësi 1.2 metra mbi sëndukun, në nivelin e dikurshëm të sipërfaqes, është konstatuar shtresë e djegur, si dhe enë të kultit, të thyera pas varrimit të vdekurit, si: enë të vogla dhe skifos (pehar) për pije me forma karakteristike të shekullit V-IV p.e.s. (qeramikë helenistike ngjyrë gri).