Kryeministri Hristijan Mickoski nuk tregon nëse do të ulen bashkë me partnerët e koalicionit që të përgatitin zgjidhje të re ligjore pasi ligji aktual i gjuhëve kontestohet në Gjykatën Kushtetuese. Mickoski thotë se janë në komunikim me koalicionin VLEN por për zgjidhje të re nuk mund të paragjykojnë.
“Kjo procedurë ka filluar patjetër duhet të ketë një fund. Cilido që të jetë ai fund, patjetër një ditë duhet të përfundojë. Tani ne nuk mund të themi se nuk mundet kështu. Vetëm ata që e kanë dorëzuar iniciativën mund ta tërheqin, ose Gjykata Kushtetuese ta refuzojë si jo relevante. Pas kësaj ne mund të flasim se si dhe çka, të hyjmë në zonën e supozimeve”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ndërkohë BDI për nesër ka caktuar mbledhje të kryesisë së ngushtë të partisë, me qëllim që siç thanë, për të marrë vendime mbi hapat e mëtejshëm dhe masa konkrete për të parandaluar përpjekjet e qeverisë për destabilizim të vendit. Por nga ana tjetër, Mickoski siguron se asgjë nuk do të ndodhë më 11 dhjetor dhe as destabilizim nuk do të ketë. Kur të shohin se nuk ndodhë asgjë, BDI do të thotë se kjo ndodhi përshkak presionit tonë, thotë Mickoski.
“Ju lutem, të mos brengoseni! Gjithçka është nën kontroll. Do të ketë përpjekje nga këto njerëz, besoni saktë e dimë se cilët janë. Saktë e dimë se me cilat grupe komunikojnë dhe si komunikojnë. Saktë dimë gjithçka. Mos mendoni se diçka nuk dimë, edhe ne por edhe partnerët tanë strategjik. Në këto punë nuk jemi vetëm. Edhe nga atje marrim informacione, japim informacione, shkëmbejmë informacione. Mos mendoni se jemi vetëm, nuk jemi vetëm. Do të mbrohemi dhe do t’i mposhtim!”, shtoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Gjykata Kushtetuese do të ketë në rend dite nismat për kushtetutshmërinë e ligjit për përdorimin e gjuhëve si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e 11 dhjetorit. I gjithë ligji, qoftë në tërësi apo në pjesë të veçanta, me të gjitha nenet e tij, është në shënjestër të 13 iniciativave që përfshijnë 46 subjekte denoncuese. E vetmja gjë e pakontestueshme është paragrafi 1 që thotë: Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu, në intervistën e fundit për Alsat konfirmoi se ai dhe gjykatësi tjetër shqiptar Naser Ajdari nuk do të marrin pjesë në seancë me qëllim që të mos mund të merret vendim.