Apartamente bosh dhe të pa shitura dhe çmime tepër të larta për një metër hapësirë banimi! Kështu mund të përshkruhet gjendja e tregut të patundshmërive për banim në Maqedoni.
Gjithashtu për shkak se vlera e parasë po bie, qytetarët po blejnë apartamente sepse mendojnë se ai është një investim i sigurt. Në të njëjtën kohë, ekziston kërkesa e madhe për dhënien e banesave me qira, ndërsa edhe njerëzit nga jashtë Shkupit janë blerësit kryesor të apartamente në kryeqendrën e vendit. Ish-drejtori i Entit Shtetëror për Statistikat, Apostol Simovski, thekson se është e vështirë të përgjigjet pse Shkupi ka kaq shumë banesa bosh dhe çmimet janë rritur, përveçse përmes prizmit të shprehisë së qytetarëve tanë të kursejnë duke blerë asete materiale.
Investimi pasiv, si blerja e pronave për tu dhënë me qira, gjithashtu ndikon në çmimet e shitjes së shtëpive. Ndërmarrja publike për menaxhim të hapësirës banesore dhe afariste është duke bërë plan për ndërtimin e objekteve të reja banesore në Manastir, Shtip dhe Shkup, me qëllim të rregullimit të çmimit të metër katror të banimit, sepse kjo ndërmarrje publike duhet të jetë Rregullatori i çmimit të metër katror për banim, paralajmëroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski. “Roli i kësaj kompanie publike është të rregullojë çmimin në treg që ndërtuesit të mos kenë çmime jashtëzakonisht të larta, të kenë monopole dhe kështu të “thithin” njerëzit. Për Manastirin kemi paralajmëruar se do të shkojmë me çmime që do të jenë 30-40 për qind më të ulëta se sa është tregu për momentin”, thotë Nikolloski.
Ai bëri të ditur se po punohet intensivisht edhe në projektin “Bli ose ndërto një shtëpi për të rinjtë”, ku për blerjen apo ndërtimin e një shtëpie për çiftet e reja të martuara do të ketë përfitime të mëdha, e cila do të mbulojë deri në 50 për qind të kostot e ndërtimit ose të blerjes. Edhe sindikalistët mendojnë se ka vend për një korrigjim të çmimeve të banesave.
“Kjo rritje e çmimeve në sektorin e ndërtimit duhet të ndalet menjëherë. Këta investitorë, që praktikisht nuk janë as ndërtues, por vetëm investitorë që blejnë parcela dhe ndërtojnë objekte, janë të pamëshirshëm ndaj qytetarëve, ndaj punëtorëve, do të thoshim ndaj gjithë shoqërisë. Krijojnë çmime shumë larg reales dhe normale që duhet të ketë ky treg”, thonë nga Sindikata e Ndërtimit pranë Lidhjes së Sindikatave.
Nga ana tjetër nuk ka të ndalur as interesimi për ndërtim të mëtejshëm. Të dhënat më të reja tregojnë se në tetor të këtij viti, komunat kanë dhënë 216 leje për ndërtimin e objekteve, përkatësisht janë dhënë 363 leje ndërtimi, që është një rritje prej 11 për qind krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Nga numri total i lejeve të ndërtimit të dhëna, 216 janë të destinuara për ndërtesa të larta, 75 për ndërtesa të ulëta dhe 72 për objekte rikonstruksioni. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, për ndërtimin e 363 objekteve, 223 investitorë janë persona fizikë, ndërsa për 140 objektet e mbetura janë subjekte afariste. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në periudhën 2020-2023 janë dhënë miratimet për ndërtimin e gjithsej 33.023 banesave: 6210 në vitin 2020, 11.946 në vitin 2021, 7002 në vitin 2022 dhe 7826 në 2032. Në Shkup ndodhen gjithsej 16.341 banesa për të cilat janë lëshuar leje ndërtimi.
Të dhënat e fundit të disponueshme statistikore për numrin e apartamenteve të përfunduara janë për periudhën 2020-2022. Gjatë kësaj periudhe janë përfunduar gjithsej 16.337 apartamente: 4077 në 2020, 5959 në 2021 dhe 6301 në 2022. Çmimet reale në qendër të Shkupit variojnë nga 2000-2200 euro në varësi nga vendndodhja. Në lagjet tjera të Shkupit, çmimet variojnë nga 1100-1300 euro për m2 deri në 1600-1800 euro, varësisht nga lagjja dhe cilësia e ndërtimit.