Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe ka thënë se “është e inkurajuar” nga fitorja e republikanit Donald Tramp në SHBA, duke shtuar se “populli serb ka qenë gjithmonë me presidentin Tramp”
Partia e serbëve që mbështetet nga Beogradi tha se beson që me kthimin e Trampit në udhëheqje do të ndalet edhe “persekutimi i serbëve në Kosovë” dhe se do të ketë insistim në formimin e Asociacionit.
“Lista Serbe në emër të popullit serb nga Kosova përgëzon Donald Trampin për fitoren bindëse dhe zgjedhjen e tij në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i bindur se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i mirë ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë të ndërtuara në mandatin e parë të presidentit Tramp do të përmirësohet dhe forcohet më tej. Besojmë dhe presim që pozita dhe problemet e popullit serb në Kosovë të jenë në fokus të plotë, të bindur se administrata e presidentit Tramp nuk do të lejojë vazhdimin e persekutimit sistematik të popullit serb nga vatrat shekullore në Kosovë si dhe se do të insistojnë në respektimin e të drejtave themelore njerëzore dhe politike të popullit serb, por edhe të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, veçanërisht të asaj që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave serbe. Populli serb ka qenë gjithmonë me presidentin Tramp, prandaj është i inkurajuar sinqerisht nga kjo fitore historike!”.
Politikani serb, Aleksandar Arsenijeviq më herët ka postuar disa pamje nga veriu i Mitrovicës me posterë të Trampit që u vendosën atje pas lajmeve për fitoren e tij.