Altin Dumani është shpallur kampion i Antikorrupsionit nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH). Kreu i SPAK-ut në Shqipëri ka marrë kështu vlerësimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një nga vendet që i ka mbështetur më shumë organet e reja të drejtësisë. Vlerësimi u bë në Departamentin e Shtetit, nga Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Anthony Blinken, në një ceremoni ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë amerikanë. Blinken tha se Dumani dhe SPAK kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit.
“Kryeprokurori special i Shqipërisë, Altin Dumani, drejton një agjenci të re kombëtare, të mandatuar gjatë reformave kushtetuese të vitit 2016, që ndjek penalisht zyrtarë të lartë dhe udhëheqës të krimit të organizuar. Sot, është institucioni publik më i besuar në Shqipëri”, deklaroi Antoni Blinken, Sekretari Amerikan i Shtetit.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka “shkundur” grupe kriminale më në zë në Shqipëri, si dhe ka goditur mjaft politikanë, përfshirë ish kryeministrin, Sali Berisha dhe ish presidentin, Ilir Meta, të akuzuar për korrupsion. Për titullin kampion të Altin Dumanit ka reaguar edhe ambasada amerikane në Tiranë, e cila tha se “ky çmim nderon vendosmërinë, guximin dhe integritetin tuaj të palëkundur në ndjekjen e drejtësisë në emër të popullit shqiptar”.