Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, e ka pranuar disfatën në zgjedhjet presidenciale kundër rivalit të vet republikan, Donald Trumpit, gjatë një fjalimi para mbështetësve të vet në Uashington dhe duke e uruar Trumpin përmes telefonit. Me tone të theksuara emocioni, zv.presidentja amerikane falënderoi të gjithë personat që u angazhuan në fushatën e saj teksa premtoi se transferimi i pushtetit do të jetë paqësor.
“Zemra ime është plot mirënjohje për besimin që treguat për mua. Ajo që doli nga këto zgjedhje nuk ishte ajo që donim, ajo që luftuam. Por më besoni se drita e besimit amerikan do të ndriçojë për aq sa kohë që ne nuk dorëzohemi dhe vazhdojmë të luftojmë. Duhet ta pranojmë rezultatin e zgjedhjeve. Më herët fola me Trump dhe i urova fitoren dhe i garantova një ndërrim të qetë të pushtetit. Kjo tregon demokraci. Çdokush që kërkon besimin e njerëzve duhet ta pranojë atë. Ne i jemi besnikë Kushtetutës së SHBA, Zotit dhe ndërgjegjes sonë. Nuk do të heqë dorë nga lufta që gratë amerikane të vendosin për trupin e tyre, demokracia, drejtësi të barabartë. Është ok të ndiheni të zhgënjyer. Disa herë lufta do kohë, por kjo nuk do të thotë që nuk do të fitojmë. Mos u dorëzoni asnjëherë për të bërë botën një vend më të mirë. Ju keni fuqinë dhe mos dëgjoni të tjerët kur thonë se kjo është e pamundur pasi nuk e ka bërë askush”, tha Kamala Harris, Nënpresidente amerikane.