Connect with us

Hi, what are you looking for?

Bota

Jeff Bezos u përgjigjet të gjithëve: Mediat kanë humbur besueshmërinë

Në sondazhet e përvitshme publike mbi besimin dhe reputacionin, gazetarët dhe mediat kanë rënë rregullisht afër fundit, shpesh pak mbi Kongresin. Por në sondazhin e Gallup të këtij viti, kemi arritur të biem poshtë Kongresit. Profesioni ynë, tani është më pak i besuari nga të gjithë. Diçka që po bëjmë duket qartë që nuk funksionon.

Më lejoni të bëj një analogji. Makinat e votimit duhet të plotësojnë dy kërkesa. Ato duhet të numërojnë votat me saktësi dhe njerëzit duhet të besojnë se ato i numërojnë votat me saktësi. Kërkesa e dytë është po aq e rëndësishme sa e para.

Po kështu me gazetat. Ne duhet të jemi të saktë dhe duhet të besojmë se jemi të saktë. Është një pilulë e hidhur për t’u gëlltitur, por po dështojmë në kërkesën e dytë. Shumica e njerëzve besojnë se media është e njëanshme. Kushdo që nuk e sheh këtë po i kushton pak vëmendje realitetit dhe ata që luftojnë realitetin, zakonisht humbasin.

Realiteti është një kampion i pamposhtur. Do të ishte e kollajtë të fajësonim të tjerët për rënien tonë të gjatë dhe të vazhdueshme të besueshmërisë (dhe, rrjedhimisht, rënien e ndikimit), por mentaliteti i viktimës nuk do të ndihmojë. Ankesa nuk është strategji. Ne duhet të punojmë më shumë për të kontrolluar atë që mund të kontrollojmë, me qëllim që të rrisim besueshmërinë tonë.

Mbështetjet e kandidatëve presidencialë nuk bëjnë asgjë për të anuar peshoren e zgjedhjeve. Asnjë votues i pavendosur në Pensilvani nuk do të thotë: “Unë do të shkoj pas mbështetjes së Gazetës Filan”. Asnjë. Ajo që mbështetjet presidenciale bëjnë në të vërtetë, është të krijojnë një perceptim të njëanshmërisë. Një perceptim i mospavarësisë. Ne duam t’u japim fund, dhe ky është një vendim parimor dhe është i duhuri. Eugene Meyer, botues i The Washington Post nga viti 1933 deri në 1946, mendoi të njëjtën gjë dhe kishte të drejtë. Në vetvete, refuzimi për të mbështetur kandidatët presidencialë nuk mjafton për të na çuar shumë lart në shkallën e besimit, por është një hap kuptimplotë në drejtimin e duhur. Do të doja ta kishim bërë ndryshimin më herët, në një moment më larg zgjedhjeve dhe emocioneve që i rrethojnë.

Ky ishte planifikim i papërshtatshëm, dhe jo ndonjë strategji e qëllimshme.

Dua gjithashtu të jem i qartë, se në këtë vendim nuk ka asnjë lloj quid pro quo-je. As fushata dhe as kandidati nuk janë konsultuar apo informuar në asnjë nivel apo në asnjë mënyrë për këtë vendim. Është bërë tërësisht nga brenda. Dave Limp, shefi ekzekutiv i një prej kompanive të mia, Blue Origin, u takua me ish-presidentin Donald Trump në ditën kur ne bëmë njoftimin.

Unë psherëtiva kur e mora vesh, sepse e dija se do t’u jepte municion atyre që do të donin ta cilësonin këtë si diçka, që vetëm vendim parimor nuk ishte. Por fakti është se unë nuk kisha dijen i më parë për takimin. Edhe Limp nuk dinte gjë paraprakisht; takimi u caktua shpejt e shpejt atë mëngjes. Nuk ka asnjë lidhje midis tij dhe vendimit tonë për mbështetjet presidenciale, dhe çdo sugjerim ndryshe është i rremë.

Kur bëhet fjalë për shfaqjen e konfliktit, unë nuk jam një pronar ideal për The Washington Post. Çdo ditë, diku, ndonjë drejtues i Amazon ose i Blue Origin apo dikush nga filantropitë dhe kompanitë e tjera që unë zotëroj ose investoj, po takohen me zyrtarë qeveritarë. Një herë kam shkruar se The Washington Post është një faktor “kompleksues” për mua. Është, por me sa duket edhe unë jam një faktor kompleksues për The Post.

Ju mund t’i shihni pasurinë dhe interesat e mia të biznesit si një mburojë kundër frikësimit, ose mund t’i shihni ato si një rrjet interesash konfliktuale. Vetëm parimet e mia mund ta kthejnë ekuilibrin nga njëri këndvështrim, te tjetri. Ju siguroj se pikëpamjet e mia këtu janë, në fakt, parimore dhe besoj se historia ime si pronar i The Washington Post që nga viti 2013 e mbështet këtë. Sigurisht, ju jeni të lirë të vendosni vetë, por unë ju sfidoj të gjeni një rast në ato 11 vjet ku unë kam penguar këdo në The Washington Post, në favor të interesave të mia. Nuk ka ndodhur.

Mungesa e besueshmërisë nuk është unike për The Washington Post. Gazetat simotra kanë të njëjtin problem. Dhe është një problem jo vetëm për median, por edhe për vendin. Shumë njerëz po u drejtohen podkasteve të hapura, postimeve të pasakta të mediave sociale dhe burimeve të tjera të paverifikuara të lajmeve, të cilat mund të përhapin shpejt dezinformata dhe të thellojnë përçarjen. Washington Post dhe New York Times fitojnë çmime, por gjithnjë e më shumë ne flasim vetëm me një elitë të caktuar. Gjithnjë e më shumë flasim me veten. (Nuk ka qenë gjithmonë kështu – në vitet 1990 ne arritëm të penetrojmë në 80 përqind të familjeve në zonën e Uashingtonit).

Ndërkohë që unë nuk shtyj dhe nuk do të shtyj interesat e mia personale, nga ana tjetër nuk do të lejoj që kjo gazetë të ecë me autopilot dhe të humbasë në irrelevancë – e kapërcyer nga podkastet e pabazuara dhe marrinat e mediave sociale. Është shumë e rëndësishme.

Tani më shumë se kurrë, bota ka nevojë për një zë të besueshëm, të pavarur dhe ku mund të lindë më mirë ai zë, se sa në kryeqytetin e vendit më të rëndësishëm në botë? Për të fituar këtë luftë, do të na duhet të ushtrojmë muskuj të rinj. Disa ndryshime do të jenë një kthim në të kaluarën, dhe disa do të jenë shpikje të reja. Kritikat do të jenë pjesë e çdo gjëje të re, sigurisht. Kjo është rruga e botës. Asnjë nga këto nuk do të jetë e lehtë, por do ia vlejë. Jam shumë mirënjohës që jam pjesë e kësaj përpjekjeje. Shumë nga gazetarët më të mirë që do të gjeni kudo punojnë në The Washington Post dhe punojnë me shumë mundim çdo ditë për të arritur tek e vërteta. Ata meritojnë të besohen.

Jeff Bezos është pronar i të përditshmes amerikane “The Washington Post

Click to comment

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ju Gjithashtu Mund Të Pëlqeni

Blog

Në vitin 1983 Ekonomisti konservator amerikan Thomas Sowell realizon një intervist ku arsyeton se vendet që kanë qenë të kolonizuara janë më të zhvilluara...

Maqedonia e Veriut

Gjuajte me armë janë regjistruar gjatë kësaj pasdite në Çair. Thuhet se në këtë gjuajtje me armë që ka ndodhur në afërsi të Stadiumit...

Bota

Partia Social-Demokrate e Rumanisë, aktualisht në pushtet, është në prag të shënimit të fitores në zgjedhjet parlamentare, për të nisur më parë bisedimet për...

Lajme

Sipas Ligjit për Festat, 8 dhjetori, kur festohet Shën Klimenti i Ohrit, është festë shtetërore dhe ditë pushimi për të gjithë qytetarët. „Duke marrë...

Maqedonia e Veriut

LSDM më në fund ka pranuar atë që qytetarët e kanë kuptuar prej kohësh, Bashkimi për Devalvimin e Institucioneve (BDI) është një barrë e...

Kosova

Një traktor për të cilin u bë pazari 13 vjet më parë, u bë sebep i plagosjes së dy të rinjve në Prishtinë. 32-vjeçari,...

Bota

Koreja e Jugut është zhytur në pasiguri politike pas shpalljes së gjëndjes së jashtëzakonshme ushtarake nga presidenti në një fjalim publik befasues natën vonë të...

Maqedonia e Veriut

Një shtetase e Brazilit me ndihmën e dy shtetasve të RMV-së dhe persona nga Portugalia, kanë rekrutuar vajza nga Brazili që të merren me...