Maqedonia e Veriut

Iu deshën vetëm tre ditë nga ngritja e akuzës, që BDI të distancohet dhe ta harrojnë frontmenin e tyre, Artan Grubin

Artan Grubi duhet të kthehet në Maqedoni dhe të përballet me drejtësinë. Kjo është thirrja edhe e BDI-së parti në të cilën ka zhvilluar karrierën e tij politike vet Grubi. Sekretari Organizativ i kësaj partie, Blerim Bexheti, për Alsat u shpreh se çdo funksionar që ka gabuar, përgjegjësia duhet të jetë individuale.

“Kur është çështja te Artan Grubi, interesi juaj dhe mediave tjera për qëndrimin tonë si BDI është se ai duhet të jetë i qasshëm dhe të bashkëpunon me organet e drejtësisë. Në ato organe të zhvillon betejën pavarësisht se cila është sepse çdo zyrtar çdo i zgjedhur që ka ushtruar ndonjë funksion publik përveç orientimeve programore partiake, përgjegjësinë e ka individuale”, deklaroi Blerim Bexheti – BDI.

Por pse BDI tërë këto ditë heshti dhe nuk doli me qëndrim zyrtar lidhur me akuzat ndaj Grubit dhe ikjen e tij jashtë vendit, edhepse deri disa ditë më parë konsiderohej njeriu më i fuqishëm në BDI?

“Artan Grubi nuk është pjesë e BDI-së.
Nuk është tash, deri tash ka qenë!
Kur e nënkuptoni atë deri tash?
Deri tani derisa nuk u ngrit akuza kundër tij dhe publikoi vet qëndrimin se tërhiqet nga jeta publike.
Jo! Kjo akuzë vijon pasi që nuk është pjesë e BDI-së dhe unë tani flas në emër të BDI-së këtu para juve”, tha Blerim Bexheti – BDI.

Derisa Bexheti pohon se Grubi nuk është pjesë e BDI-së, Grubi në fakt periudhën e fundit menaxhonte të gjitha politikat e BDI-së, madje duke funksionuar edhe si hije e Ali Ahmetit. Këtë e pati pohuar edhe ai vet gjatë një interviste televizive, ku thoshte se ai vepron çfarë t’i thotë Ali Ahmeti. Bexheti na tha se nuk e di se ku ndodhet Grubi dhe as nuk ka kontaktuar me të. I pyetur nëse Ahmeti gjatë vizitës në Prishtinë ka takuar edhe Grubin, Bexheti tha se Ahmeti është takuar me krerët e partive opozitare në Kosovë dhe kryetarin e Prishtinës.

Nga ana tjetër, zv.kryeministri Izet Mexhiti thotë se vizita e Ahmetit në Prishtinë është bërë për dy arsye: për ta bindur Grubin të kthehet ose për të ikur në ndonjë vend më të sigurt.

“BDI po ballafaqohet me një situatë ku njerëzit I ka në lista të zeza në ikje dhe farsë janë ato që shkojnë për tituj nderi apo për çelsa të qyteteve, thjesht janë kamuflim, me siguri është një koordinim me këta që kanë ikur, konkretisht i Ahmetit me Artanin për ta bindur që të kthehet, ose për ndonjë strategji tjetër për të ikur në një vend më të sigurt”, u shpreh Izet Mexhiti – Zv.kryeministër.

Për momentin ende nuk ka informacione të sakta për vendndodhjen e Artan Grubit. Para pak ditësh, ai kaloi vendkalimin kufitar në Bllacë. Pasi u publikuan njoftime se është arratisur, Grubi në facebook shkroi se ka udhëtuar për vizitë private dhe do të kthehet sapo të përfundojë obligimet. 

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ju Gjithashtu Mund Të Pëlqeni

Copyright © 2024. Rinosnews

Exit mobile version