Propozim-ligji në fjalë ka kaluar në Komisionin parlamentar për arsim me shumicë votash. Në seancën e komisionit nuk morën pjesë asnjë përfaqësues i VLEN-it. Ndërkohë, edhe pse propozimi mban firmën edhe të zëvendësministrit të Arsimit, Lulzim Aliu, as ai nuk mori pjesë në Komisionin parlamentar për arsim. Nga Fronti Europian paralajmërojnë se do të bllokojnë miratimin e këtij ligji, të cilin e quajnë skandaloz, duke dorëzuar rreth 10 mijë amendamente.
Në Komisionin parlamentar për arsim ka kaluar propozim-ligji për arsimin e mesëm në të cilin mes tjerash, propozohet që nxënësit e shkollave të mesme në fillim dhe në fund të vitit shkollor ta intonojnë himnin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kundër këtij propozimi ka dalë deputetja e Frontit Europian, Rina Ajdari, njëherësh anëtare e Komisionit në fjalë. Sipas saj, ky propozim do të tensionojë nxënësit shqiptarë, të cilin himnin shtetëror e respektojnë, por nuk e ndjejnë si pjesë të identitetit të tyre kulturor. Ajo akuzoi deputetët e VLEN-it po edhe funksionarët e këtij koalicioni në Qeveri se nuk pyeten fare për propozim-ligjet që dorëzohen në Parlament.
“Propozimi që kërkon intonimin e himnit të shtetit në çdo aktivitet dhe në fillim e në përfundim të vitit shkollor është një masë që na duket realisht e paarsyeshme, ne e respektojmë himnin e shtetit, por kjo dispozitë i shton presionet ndaj nxënësve shqiptarë për faktin se në himnin e shtetit, nuk përmendet asnjë element i identitetit tonë kulturor”, theksoi deputetja e Frontit Europian, Rina Ajdari.
Me propozimin në fjalë nuk u pajtua edhe deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi. Ai këtë masë e vlerëson si masë populiste. Bytyqi shprehet se Qeveria, në mungesë të ideve dhe propozimeve reale që do të ndikojnë në përmirësimin dhe zhvillimin e arsimit në vend, vjen me ide nxitëse.
“Në fakt, është dëshmi e mos pasjes të fokusit të kësaj Qeverie, realisht edhe koncepti se çka duhet të bëhet në arsim. Unë si një prej deputetëve të opozitës, pyes se çfarë do të sjellë në përmirësimin e rangimit të shtetit tonë në PISA testimet kjo zgjidhje ligjore që duan ta implementojnë? A do e bën arsimin më cilësorë dhe a do i bën nxënësit tonë më konkurrues në nivel rajonal dhe global? E di se edhe intonimi i himnit dhe valëvitja e flamujve është e rëndësishme – të ndjehesh pjesë e shtetit dhe ta duash shtetin më shumë, por shteti dhe Qeveria duhet të adresojnë disa çështje që janë më jetike për nxënësit se sa çështjet që janë për momentin vetëm se formë”, tha deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit dhe Shkencës nga VMRO-DPMNE-ja, Vesna Janevska, dhe e cila është përpiluese e këtij propozim-ligji, e mbështet plotësisht këtë propozim, duke e konsideruar si një detyrim qytetar. “Ne si përfaqësues të një shteti jemi krenarë me simbolet tona kombëtare – me himnin, flamurin dhe stemën. Të gjithë që e ndjejnë këtë shtet si të vetin dhe të gjithë që kanë synime të punojnë për ardhmërinë e këtij shteti, duhet t’i respektojnë simbolet e shtetit”, tha Vesna Janevska.
Ndryshe, propozim-ligji në fjalë ka kaluar në Komisionin ligjvënës me shumicë votash. Në seancën e komisionit nuk morën pjesë asnjë përfaqësues i VLEN-it. Ndërkohë, edhe pse propozimi mban firmën edhe të zëvendësministrit të Arsimit, Lulzim Aliu, as ai nuk mori pjesë në Komisionin parlamentar për arsim. Nga Fronti Europian paralajmërojnë se do të bllokojnë miratimin e këtij ligji, të cilin e quajnë skandaloz, duke dorëzuar rreth 10 mijë amendamente.