Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale amerikane, roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor do të reduktohet, që do të thotë se rajoni me konflikte të pazgjidhura dhe në proces të ngecur integrues do të ketë nevojë për angazhim strategjik më serioz të Bashkimit Evropian dhe Gjermanis.
Autorët e këtij shkrimi, Millan Niq dhe Frauke Seebass, deklaruan se fitorja e kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit do të sillte ndryshime të konsiderueshme me politikën aktuale amerikane në Ballkanin Perëndimor.
Në rast të fitores së Trumpit, ish-presidenti amerikan, disa liderë ballkanikë, veçanërisht presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, do të kishin më shumë qasje dhe kontakte të nivelit të lartë në Uashington se në vitet e mëparshme, vlerësojnë Niç dhe Seebass.
Nga ana tjetër, tregojnë autorët e analizës, angazhimi i Uashingtonit në një nivel të lartë do të ishte “shumë më selektiv dhe transaksional, gjë që do t’i konvenojë liderëve joliberalë të Ballkanit”.
“Nëse ata kënaqin interesat e biznesit të Trumpit, kjo vetëm do të rrisë konkurrencën gjeopolitike në rajon, në dëm të BE-së dhe Gjermanisë. Një qasje e tillë mund të jetë edhe më afër stilit dhe kulturës politike mbizotëruese në Beograd apo Tiranë. Në fakt, do të forconte forcat politike joliberale në të gjithë rajonin, do të rriste ndikimin e forcave të tilla jashtë rajonit (si kryeministri hungarez Viktor Orban), do të minonte sigurinë rajonale dhe do të dëmtonte procesin e anëtarësimit në BE”, thuhet në analizë.
Autorët e analizës, të publikuar në faqen e DGAP, theksojnë gjithashtu se Trumpi do të shkaktojë kaos në SHBA nëse humbet sërish dhe refuzon të pranojë humbjen siç bëri në vitin 2020, duke shtuar se kjo do të dobësonte më tej normat demokratike në Ballkanin Perëndimor.
Në rast të fitores së kandidates së Partisë Demokratike, Kamala Harris, Uashingtoni do të mbetet në kursin aktual, por do të veprojë në Ballkanin Perëndimor me më pak vëmendje dhe angazhim në një nivel të lartë sesa në kohën e presidentit Joe Biden, mandati katërvjeçar i të cilit përfundon më 20 janar, thuhet tutje në analizë.
Niç dhe Seebass tregojnë se Harrisi, zëvendëspresidentja e SHBA-së, “e kupton mirë” ndërhyrjen e Rusisë në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe qëllimet e Moskës, dhe vlerësojnë se kjo mund të nënkuptojë mbështetje për politikën aktuale të rritjes së presionit ndaj aleatëve të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, “sidomos në Beograd dhe Banja Llukë”.
“Administrata e Bidenit tashmë ka vendosur sanksione ndaj individëve në poste të larta, duke përfshirë zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vulin. Në rastin e mandatit presidencial të Kamala Harrisit, Uashingtoni mund të jetë më pak tolerant ndaj politikës balancuese të Serbisë, e cila përfshin marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinnë, dhe të rrisin presionin mbi të gjitha vendet e Ballkanit për të reduktuar lidhjet ekonomike me Pekinin”, shtuan analistët e DGAP.
Meqenëse fokusi i fushatës së saj është liria personale dhe sundimi i ligjit, Harris si presidente, thuhet, mund të sillte veprime më të bashkërenduara për të mbështetur shoqërinë civile nën udhëheqësit joliberalë, për shembull në Serbi, por kjo do të varej nga burimet e ambasadave amerikane në rajon.
Autorët theksojnë gjithashtu se disa liderë ballkanikë kultivuan marrëdhëniet me kampin Trump, por se “mund të jetojnë” me fitoren e Harrisit, si dhe “duket se janë më të përgatitur për pasojat e zgjedhjeve presidenciale në SHBA se shumë vende anëtare të BE-së”.
Ata shtojnë se tani është “moment vendimtar” për Ballkanin Perëndimor, falë kombinimit të dy faktorëve – luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe tërheqjes graduale të SHBA-së nga periferia e Evropës, dhe tregojnë se zgjedhjet në SHBA po mbahen në një kohë kur elitat politike në vende më të vogla kanë mësuar se si të përfitojnë nga rivaliteti i intensifikuar gjeopolitik midis fuqive perëndimore dhe joperëndimore.
“Për këtë njihet më së shumti presidenti Vuçiq, i cili zgjeroi marrëdhëniet dypalëshe me Kinën dhe Rusinë, ndërsa në të njëjtën kohë arriti të vazhdojë rrugën e Serbisë drejt BE-së, pavarësisht se nuk iu bashkua sanksioneve të vendosura ndaj Moskës. Vuçiqi mban edhe SHBA-në në anën e tij duke ofruar mbështetje të rëndësishme ushtarake për Ukrainën”, thuhet në tekst.
Niç dhe Seebass deklarojnë se Ballkani Perëndimor mund të shkojë drejt një stili të ri, të njëanshëm të politikës së jashtme të ekipit Trump dhe se kjo mund të shkaktojë reagime negative ndaj zgjerimit të BE-së në opinionin publik dhe mediat kryesore në vendet evropiane, përfshirë Gjermaninë.
“Duke qenë se ai nuk do të ishte aspak i përkushtuar ndaj unitetit evropian apo zgjerimit të BE-së, ekipi i Trumpit do të ishte i lumtur të inkurajonte ndarjet e brendshme në BE në lidhje me konfliktet e pazgjidhura ballkanike, të cilat do të forconin pozitat dominuese rajonale të Serbisë dhe Shqipërisë në kurriz të fqinjët e tyre më të vegjël si Mali i Zi dhe Kosova, duke rritur rreziqet e sigurisë dhe tensionet në rajon”, thuhet në analizë.
Një rrezik edhe më i madh për sigurinë e Ballkanit do të ishte humbja e besueshmërisë në NATO-n dhe kërcënimi i tërheqjes së trupave amerikane nga misioni i KFOR-it në Kosovë, në rast të kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, thuhet në tekst, duke shtuar se kjo jo vetëm do të dobësonte marrëdhëniet transatlantike, por do të vinte në pikëpyetje edhe strategjinë e Brukselit për përdorimin e mjeteve dhe kushteve të reja për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Përveç kësaj, një aleancë midis Trumpit dhe liderëve joliberalë evropianë si Orbani do të hapte derën për konsolidim shtesë të fuqisë së liderëve ballkanikë në vendet e tyre, manipulimin e agjendave etno-revizioniste në rajon dhe transnacionalizmin më të madh gjeopolitik me lojtarë të jashtëm – në dëm të ndikimit të Gjermanisë dhe institucioneve të BE-së, vlerësojnë autorët.
Pritet gjithashtu, siç thonë ata, që administrata e re e Trumpit të ushtrojë më shumë presion mbi vendet e Ballkanit për të ndjekur linjë më të ashpër amerikane ndaj Kinës. Pyetja e madhe është se si kjo do të ndikonte në Serbi, e cila është hapur për rritjen e investimeve strategjike kineze.
Niç dhe Seebass kujtojnë se gjatë mandatit të parë të Trumpit u bë kthesë e njëanshme në politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor dhe shtojnë se ishte në përputhje me ambiciet personale të disa njerëzve të afërt me Trumpin dhe familjen e tij, veçanërisht Richard Grenell.
Grenell, ish-ambasadori kontrovers i SHBA-së në Gjermani, ia doli të emërohej si i dërguar i posaçëm i Trumpit për “negociatat e paqes” ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe lehtësoi një sërë negociatash mes dy palëve duke theksuar aspektet tregtare dhe të biznesit, sipas autorëve.
Në shtator të vitit 2020, presidenti Vuçiq dhe kryeministri i atëhershëm në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, nënshkruan Marrëveshjen për Normalizimin Ekonomik të Kosovës dhe Serbisë, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit, por vetëm një pjesë e vogël e 16 dispozitave të atij dokumenti janë zbatuar plotësisht deri më sot, tregojnë Niç dhe Seebass.
Ata vlerësojnë se “veprime të tilla të pakoordinuara” të administratës Trump ishin “thirrje zgjimi për BE-në” dhe se ndihmuan bllokun të ringjallë rolin si ndërmjetësues në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Grenell, i cili përmendet si një nga kandidatët për postin e sekretarit amerikan të Shtetit në rast të fitores së Trumpit, ka vazhduar të komentojë publikisht ngjarjet në Ballkanin Perëndimor, duke dënuar qasjen e administratës Biden.
“Ai mban kontakte të rregullta me presidentin serb Vuçiq, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe kryeministrin e ri të Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski. Grenell po i përdor ato kontakte për të hapur derën për disa projekte investimi, përfshirë ato që dëshiron dhëndri i Trumpit, Jared Kushner. Djali i madh i Trumpit, Donald Junior, ishte gjithashtu në disa nga ato takime”, thuhet në tekst.
Tre liderët ballkanikë – Vuçiq, Rama dhe Mickoski – ishin në gjendje të rrisnin kontaktet personale me aleatët e Trumpit gjatë kësaj periudhe.
Kur bëhet fjalë për Kamala Harris, qasja e saj e mundshme ndaj Ballkanit Perëndimor është më e vështirë për t’u vlerësuar. Si zëvendëspresidente e SHBA-së, ajo nuk ka zhvilluar lidhje personale apo pozicione të forta në lidhje me Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që angazhimi publik ndaj këtij rajoni është i dobët, sipas autorëve të analizës.
“Megjithatë, duke qenë se ajo qëndron për internacionalizmin dhe aleancat liberale, si presidente, Harris do të vazhdojë të bashkëpunojë me evropianët dhe të mbështetet në NATO-n. Është e sigurt që ajo do të priste që evropianët të bënin më shumë për sigurinë e tyre, gjë që do të lehtësonte barrën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor në një kohë kur rajonet dhe konfliktet e tjera janë prioritet për Uashingtonin”, theksojnë Niç dhe Seebass.
Nëse demokratët mbesin në Shtëpinë e Bardhë, strategjia e balancimit diplomatik në Ballkanin Perëndimor mund të vazhdojë, por rajoni me siguri do të ketë më pak vëmendje politike në nivelin më të lartë.
Kjo mund të ndodhë për shkak të këshilltarit për një kohë të gjatë për sigurinë kombëtare të Harrisit, Philip Gordon, i cili ndoshta do të kërkonte të vendoste qasje të kujdesshme ndaj rajonit, me synimin për të arritur qëllimet afatgjata dhe për të shmangur rol të tepruar amerikan, thotë analiza.
Në parim, administrata Harris do të “delegonte” çështjet e Ballkanit Perëndimor në Departamentin e Shtetit, ku në krye të këtij rajoni është zëvendësndihmës sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, aktualisht Alexander Kasanoff, i cili koordinon aktivitetet me vendet kryesore evropiane.
Kasanoff i raporton bdihmëssekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i cili ka qenë i përfshirë në aktivitetet e SHBA-së në Ballkan që nga vitet 1990. Vendimi i Harrisit ose sekretarit të saj të shtetit për të mbajtur O’Brienin në atë pozitë do të ishte sinjal i rëndësishëm për rajonin se politika aktuale do të vazhdojë, e cila përfshin ruajtjen e marrëdhënieve pragmatike me presidentin serb Vuçiq, shkruajnë autorët e analizës.
Niç dhe Seebass vlerësojnë gjithashtu se periudha e kalimit në administratën e re amerikane dhe Komisionin e ri Evropian i ofron Gjermanisë mundësi të mirë për të dërguar sinjal të fortë mbështetjeje për Ballkanin Perëndimor në mënyra të ndryshme.
Ndër mënyrat që ata propozojnë janë: ndërtimi i shtyllës evropiane të NATO-s dhe forcimi i misioneve të saj në rajon, ruajtja e aspiratës politike për zgjerimin e BE-së, ndërtimi mbi arritjet brenda Procesit të Berlinit, krijimi i një ure ndërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkani Perëndimor dhe Tregu i Vetëm i BE-së, në kërkim të mënyrave dhe formateve të reja për koordinim më të ngushtë me Britaninë e Madhe, e cila ka kërkuar të forcojë rolin në rajon që nga kthimi i laburistëve në pushtet.