Shefja e diplomacisë së Kosovës Donika Gërvalla ka thënë se fitorja e Ukrainës në betejën e saj kundër Rusisë është e rëndësishme, pasi “çdo zgjidhje tjetër kompromisi është receta për luftën e ardhshme në Baltik, Poloni ose Ballkanin Perëndimor”.
Ajo këto komente i bëri në Forumin për Demokraci në Lituani: Solidariteti dhe mbështetja mes demokracive, thelbësore për triumfin mbi autokracitë, që po mbahet në Vilnius të Lituanisë, ku po merr pjesë me ftesë të homologut të saj Gabrielius Landsbergis.
“Besimi në demokraci, solidariteti mes demokratëve dhe një qasje e qartë për mbështetje dhe parandalim ndaj agresorëve janë elementet që do ta forcojnë të ardhmen demokratike të Evropës dhe do të pengojnë përhapjen e ekstremizmit dhe populizmit, të cilat mund të kërcënojnë të ardhmen demokratike të këtij kontinenti”, tha Gërvalla.
Gjatë fjalimit të saj, ministrja Gërvalla përmendi gjithashtu rëndësinë e fitores së Ukrainës ndaj agresionit të Rusisë duke paralajmëruar pasojat e çdo kompromisi të mundshëm.
“Çdo zgjidhje tjetër kompromisi është receta për luftën e ardhshme në Baltik, Poloni ose Ballkanin Perëndimor, ku kemi një përfaqësues të Putinit dhe Rusisë, që sulmoi vendin tim në shtatorin e kaluar me të njëjtën retorikë, me skemën e Putin, të njëjtat fjalë, të njëjtin fjalor që Putin ka përdorur në Ukrainë”, tha Gërvalla, duke iu referuar sulmit terrorist të 23 shtatorit 2023 në Banjska, ku u vra një polic i Kosovës.
Përgjegjësinë për sulmin terrorist e mori Milan Radoiçiq, i cili vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.