Republikani Donald Trump u shpall presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tramp fitoi në shumicën e atyre që njihen si shtete të papërcaktuara: Pensilvani, Uiskonsin, Karolinën e Veriut dhe Xhorxhia, duke siguruar shumicën e votave të Kolegjit Elektoral.
Trump premtoi se të luftojë për të ardhmen. Ai tha se nuk do të pushojë derisa Amerika të bëhet e fortë, e sigurt dhe e begatë. Tramp në fjalimin e tij tha se do t’i përfundojë luftërat në botë.
“Detyra para nesh nuk do të jetë e lehtë, por unë do të jap çdo energji që kam në shpirt. Ne do të mbajmë premtimin tonë. Asgjë nuk do të më pengojë që ta mbaj fjalën ndaj jush, popullit. Ne do ta bëjmë Amerikën të sigurt, të fortë, të begatë, të fuqishme dhe të lirë përsëri. Dhe unë po i kërkoj çdo qytetari në tokën tonë të bashkohet me mua në këtë përpjekje fisnike dhe të drejtë. Është koha për të lënë pas ndarjet e katër viteve të fundit. Është koha për t’u bashkuar. Suksesi do të na bashkojë”, tha Donald Tramp, kandidat presidencial.
Pasi Donald Trump doli në skenë për të festuar fitoren e tij në garën presidenciale, Kamala Harris anuloi fjalimin që do të mbante dhe i kërkoi ekipit të saj që të shkojë në shtëpi. Kryesuesi i fushatës së saj, iu drejtua shkurt turmës pas mesnate, duke thënë se Harris do të fliste publikisht të mërkurën.
“Pra, ju nuk do të dëgjoni nga nënpresidentja sonte. Por do të dëgjoni nga ajo nesër. Ajo do të kthehet nesër këtu për t’iu drejtuar jo vetëm familjes, jo vetëm për t’iu drejtuar mbështetësve të saj, por për t’iu drejtuar kombit”, theksoi Cedric Richmond, Kryesues i fushatës së Harrisit.
Tramp hyri në zgjedhje me një shans 50-50 për ta rimarrë Shtëpinë e Bardhë, duke u rikthyer pas 6 janarit të vitit 2021, kur shumë analistë e shpallën karrierën e tij politike të mbaruar. Atë ditë, një turmë përkrahësish të tij sulmoi Kongresin në një përpjekje për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Tramp fitoi më shumë mbështetje nga votues tradicionalisht demokratë dhe në mesin e familjeve me të ardhura të ulëta. Rreth 31% e votuesve thanë se ekonomia ishte çështja kryesore për të cilën votonin dhe ata votuan për Trumpin me një përqindje të lartë.