Që prej orës 17:00 ka nisur protesta e opozitës në Shqipëri. Partia Demokratike e Shqipërisë ka dorëzuar një kërkesë në polici për zhvillimin e tubimeve në disa akse kryesore të Tiranës më 23 dhjetor 2024, nga ora 17:00 deri në orën 20:00.
Ndërkohë është folur shumë lidhur me pjesëmarrjen në protestë të kryetarit të PD, Sali Berisha.
Ai më herët deklaroi se do të ishte gjithandej në këtë protestë, ndërsa iu bashkua protestuesve në rrugën e Elbasanit.
Ai u prite me thirrje e brohorima nga militantët e PD-së.
“Çdo formë e mosbindjes civile është e mundshme. Ne tërhiqemi vetëm kur të votohet qeveria teknike dhe zgjedhje të lira”. Kështu u shpreh Sali Berisha në protestën e pestë të mosbindjes civile të opozitës, sipas të cilit asgjë nuk do t’i pengojë demokratët për të arritur objektivat e tyre. Për kreun demokrat ky dimër do të jetë i vështirë si për Ramën dhe për Vuçiçin në Beograd.
“Asgjë nuk i pengon demokratët për të realizuar objektivat e tyre. Sot një nga ditët më të veçanta të dhjetorit, por sot është dita e demokratëve. Jemi në detyrë, në protestë, në revoltë në mosbindje ndaj narkodiktatorit. Ky dimër premton të jetë i vështirë si për argatin e Tiranës dhe padronin e Beogradit. Edhe në Beograd studentët po dridhin nga themelet diktatorin. I përshëndes nga zemra ata qytetare e demokratë që kanë marrë Tiranën në duart e tyre. Përshwndes mbarë qytetarët e Tiranës dhe i siguroj se kjo mosbindje civile është në interesin e çdo qytetari të Tiranës e Shqipërisë dhe nuk ndalojmë pa realizuar objektivat tona; qeveri teknike zgjedhje të lira. Nëse Rama nuk e pranon rrëzohet Mosbindja civile është kodi i përmbysjes së diktatorëve”.
Ai u shpreh i kënaqur me arritjet e deritanishme nga aktet e mosbindjes civile dhe tha se prej tyre qeveritarët po shndërrohen në kufoma politike.
“Deri tani janë 15- 20 forma të ndryshme në parlament e kudo. E rëndësishme është që projekti i mosbindjes civile të realizojë qëllimet e veta. Jam shumë i kënaqur nuk e shikoni si po përfundojnë? Si kufoma politike njëri pas tjetrit. Imagjinoni ju çdo ishte sot Veliaj po të mos kishte qenë mosbindja civile te bashkia, si është sot ai? I pakallur. Ne kemi sakrifikuar, kemi bërë beteja por betejat tona janë shpërblyer se zëri ynë u dëgjua në gjithë botën. Mediat e stamposën Ramën si neodikator”.
I pyetur se komisioni rrëzoi kërkesën e opozitës për portin e Durrësit. Berisha tha se kreu i asaj afere është Rama, por opozita nuk do të tërhiqet.
“Se Rama është kreu i asaj afere të tmerrshme, më e madhja në historinë e Shqipërisë dhe ndër më të mëdhatë në historitë e botës. Porti i Durrësit është pasuria nr.1 e shqiptarëve. Po përvetësohet nga Rama duke përdorur si mburojë Al Alabarin, por në të vërtetë është përvetësim i tij dhe klaneve të drogës. Ne nuk e falim kurrë Portin e Durrësit. Nuk tërhiqemi. Çdo formë e mosbindjes civile është e mundshme. Ne tërhiqemi vetëm kur të votohet qeveria teknike dhe zgjedhje të lira. Rama është i humbur, i përfunduar. Ju e patë si kishte rënë në mënyrë dramatike audienca e tij në Tik Tok e Instagram që nuk i kontrollon dot. Rama e ka kuptuar këtë dhe është i pashpresë. Përpiqet, por tani është radha jonë”.