Duke komentuar mbikëqyrjen e sotshme të ekipit të qeverisë me në kryeministrin Hristijan Mickoski në rrugën Gostivar-Bukojçan, nga BDI thonë se u dëshmua se kritikat për këtë projekt, kanë qenë vetëm mjet i qeverisë aktuale për të ardhur në pushtet. Nga BDI apelojnë që projekti për Korridorin 8 të realizohet sipas buxhetit të paraparë, që mos të ketë vonesa.“Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson që vijimi i punimeve në korridorin 8 edhe nga Qeveria pa legjitimitet etnik dëshmon dhe konfirmon politikat tona të drejta dhe vizionare. Partitë që sot e lavdëronin dhe krenoheshin me projektin, deri dje e kritikonin kontratën dhe ndërtimin e Korridorit 8 me kërcënime që do ta anulojnë kontratën, ndërsa sot, e quajtën projekt historik. Përfitimet nga politikat tona, qytetarët i ndjejnë çdo ditë dhe binden që e gjithë gjuetia politike e shtrigave me shpifje e konstrukcione ka qenë mashtrim për të ardhur në pushtet, edhe atë pa legjitimitet etnik. Korridori 8, edhe pse mban vulën e BDI-së, i takon të gjithë qytetarëve dhe apelojmë që tuneli nga Gostivari deri në Bukojqan të realizohet sepse është opsioni më i mirë dhe më racional për këtë pjesë të korridorit. Gjithashtu, buxheti i paraparë për këtë projekt duhet realizuar siç është përcaktuar në mënyrë që mos të bëhen obstruksione të qëllimshme dhe vonesa politike në realizimin e projektit”, thonë nga BDI.
