Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të mërkurën gjatë një konference për shtyp, e cilësoi “organizatë joqeveritare” propozimin e koalicionit VLEN për krijimin e Akademisë Shqiptare.
Ai tha se për të, “temat etnike” nuk janë prioritet.
“Temat etnike dhe nacionale nuk janë prioriteti im. Prioriteti im si kryeministër i kësaj Qeverie është që t’ua bëj qytetarëve jetën më të mirë dhe më cilësore”.
“Paratë e qytetarëve që do të harxhoheshin në organizata joqeveritare, që do të paraqiten siç mendojnë se do të prezantohen, nuk do t’i sjellin të rinjtë shqiptarë, aty ku i takova në Ambasadën e Maqedonisë në Berlin, as në Aeroportin në Frankfurt, as kudo ku isha në Evropë, por ata do t’i sjellë jeta më e mirë dhe kushtet më të mira këtu. Ky është qëllimi im”, pohoi Mickoski.
Ai shtoi se një lëvizje e tillë e koalicionit VLEN nuk do të ndikojë negativisht në koalicionin qeveritar.
Të martën, kryetarët e katër komunave me shumicë shqiptare, (Gostivarit, Tetovës, Zhelinës dhe Çairit) të koalicionit VLEN që është pjesë e Qeverisë, zhvilluan takim pune me Shoqatën e Akademikëve Shqiptarë.
Ata diskutuan për financimin vjetor të projekteve të rëndësishme për, siç thanë, “avancimin e mendimit intelektual dhe shkencor të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se qëllimi i takimit ishte përshpejtimi i zbatimit të projektit për krijimin e “Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve”.
Kasami theksoi se ngritja e këtij institucioni është e domosdoshme për shkak të, siç u shpreh ai, “plogështisë së ASHAM-it (Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut) për mungesë të reformave, që duhet të pasqyrojnë gjendjen faktike, e që nuk janë duke u realizuar tash e 57 vjet”.
“Ky projekt ekskluzivisht shkencor i VLEN-it nuk ka për qëllim të shkaktojë tensione etnike ose paralelizma në nomenklaturën arsimore shtetërore, por ka për qëllim të krijojë një institucion tjetër shkencor që do të bashkojë mendimin autentik shqiptar në një zhvillim të përbashkët dhe të barabartë shoqëror”, shkroi Kasami në Facebook.
Koalicioni VLEN bëri të ditur se financimi i kësaj akademie fillimisht do të bëhet nga komunat shqiptare, me synimin që më vonë të financohet nga buxheti i shtetit.
Megjithatë, kryeministri Mickoski njoftoi se këshilltarët e VMRO DPMNE-së nuk do t’i mbështesin buxhetet komunale në katër komunat e lartpërmendura, që do të përfshijnë fonde për këtë qëllim.
“Unë nuk do të doja që paratë e qytetarëve të shpenzohen për organizata joqeveritare. Më mirë do t’i shihja teksa shpenzohen për projekte infrastrukturore, për të krijuar kushte që të rinjtë të kthehen dhe këto janë temat për të cilat dua të diskutoj. Temat që polarizojnë apo etnizojnë nuk janë tema në të cilat unë dua të jem bashkëbisedues”, potencoi kryeministri maqedonas.
Më herët, Mickoski kishte thënë se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë (ASHAM) është institucioni i vetëm që bashkon mendimin shkencor në vend.
Përkitazi me kundërshtimin e kryeministrit Mickoski, kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, të martën tha:
“Unë do ta falënderoj partnerin e koalicionit që ka dhënë mendimin e tij, por reagimi ka qenë shumë më ndryshe kur u nis Universiteti i Tetovës. Në këtë rast është e drejta e çdokujt të ketë mendimin e tij për çdo projekt që ndodhë”, tha Kasami duke pohuar se kjo ide nuk është kundër askujt, por që edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të jenë të përfaqësuar në nivelin akademik.
Akademia, që do ta kishte selinë në Tetovë, do të krijonte mundësi të reja për studiuesit dhe artistët shqiptarë që të kontribuojnë me kërkime cilësore dhe të ruajnë trashëgiminë kulturore, vlerësojnë nga koalicioni VLEN.