Nga policia thonë se vitin e kaluar numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara për dhunë në familje ka qenë 143. Njohësit e këtyre rrethanave thonë se edhe pse rastet e dhunës raportohen në polici, megjithatë jo mjaftueshëm
Gjithsej 94 vepra të dhunës në familje janë regjistruar për 11 muaj në rajonin që mbulon Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. Nga policia bëjnë të ditur se deri në Gjykatën Themelore të Tetovës janë dorëzuar 72 kallëzime penale ndaj 72 autorëve. “Prej tyre, 54 janë raportuar me lëndime trupore, 37 me ‘kërcënim për sigurinë’, dy me lëndime të rënda trupore gjatë dhunës në familje dhe një vepër privim i kundërligjshëm i lirisë. Gjatë vitit 2024 janë përgatitur dhe dorëzuar në gjykatën kompetente 72 kallëzime penale, ndaj po aq autorëve, ndërsa për rastet e tjera të raportuara parashtresat janë në përgatitje e sipër” thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Në ndërkohë, sikurse edhe në të kaluarën edhe këtë vit, dhunues paraqitet gjinia mashkullore.
“Autorët të veprave gjatë këtij viti janë kryesisht meshkuj, përkatësisht bashkëshortë, baballarë, djem, bashkëshortë jashtëmartesor, ish-bashkëshortë, kurse si autorë të dhunës në familje paraqiten edhe femrat, ku përfshihen bashkëshortet, vajzat, vjehrra, nëna dhe të tjerë. Ndërsa, si viktima të dhunës në familje, shumica e grave janë bashkëshorte, nëna, vajza, bashkëshorte të pakurorëzuara dhe të afërm të tjerë, si dhe burra, duke përfshirë bashkëshortët,baballarët, djemtë dhe të afërm të tjerë”, njoftoi zëdhënësi Rexhepi.
Njohësit e këtyre rrethanave thonë se edhe pse rastet e dhunës raportohen në polici, megjithatë jo mjaftueshëm.
“Ende mendohet se numri i rasteve të paraportuara në rastin e dhunës në familje është shumë i lartë, do të thotë ekziston ky numër i errët i paraportuar, i rasteve të dhunës për shkak se dhuna në familje nuk është dhunë e çfarëdoshme por është dhunë mes njerëzve që kanë lidhje shumë të afërta me njëri-tjetrin dhe këtu ndikojnë shumë faktorë që këto raste të ngelen të paraportuara. Por kemi edhe raste të shpeshta kur megjithëse raportohen nuk merren masa serioze apo rigoroze për dhunuesit. Kemi pasur dhe raste ekstreme të femicidit, kur viktima e ka raportuar bashkëshortin, ka pasur urdhër-mbrojtje dhe përsëri ka përfunduar me aktin ekstrem të vrasjes së saj. Kështu që raportohen por jo mjaftueshëm”, thotë Albana Metaj, profesoreshë e të drejtës civile.
Në shumicën e rasteve, autorët kanë përdorur forcë fizike dhe torturë psikologjike ndaj viktimave gjatë kryerjes së veprave, duke u shkaktuar atyre lëndime fizike, thonë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. Nga policia thonë se vitin e kaluar numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara për dhunë në familje ka qenë 143. Numri më i madh i rasteve të vitit të kaluar kanë të bëjnë me dhunën në familje me lëndime trupore ndërsa në 44 raste është kërcënuar siguria e viktimave.