Kanë përfunduar pesë duelet e javës së 15-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, me befasinë që ndodhi në stadiumin e Çairit në Shkup, ku skuadra e FC Shkupit është mundur nga Sileksi me rezultat 0-2, njofton Telegrafi.
Në këtë ndeshje tifo grupi i Shkupit “Shvercerat” festuan 35 vjetorin e themelimit, ndërsa i parnishëm për herë të parë ishte edhe pronari i ri klubit, Jasin Konyali, i cili bleu aksionet e klubit nga Çairit nga Olgun Aydin. Për Sileksin dy golat për fitore i shënoi ish-futbollisti i Shkupit, Darko Dodev në minutën e 7’ dhe 44’.
Gostivari ka marrë fitoren e radhës, edhe atë ndaj ekipit të fundit në tabelë, Tikveshit. Edhe pse ekipi i Gostivarit ishte favorit absolut, iu deshën të kalojnë 84 minuta që të thyej mbrojtjen mysafire. Autor i golit ishte Elvis Mashike.
Në kryeqytet u luajt edhe një ndeshje tjetër, ku Besa ishte mysafire e Rabotniçkit. Futbollistët e Besës të parët kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Rakipi, por më pas Rabotniçki fillimisht barazoi për 1-1 me golin e Rasheed, ndërsa në pjesën e dytë shënuan edhe tre gola të tjerë, një Gando dhe dy herë shënoi Reghba.
Struga në Strumicë arriti të nxjerr vetëm një pikë në duelin daj AP Brera. Ndeshja përfundoi në barazim 1-1, ndërsa të parët në epërsi kaluan nikoqirët me golin që e shënoi Todorovski, e që Struga barazoi me Hugan Ukpa.
Ndeshja e vetme që u mbyll pa u shënuar gola ishte dueli në mes Voska Sport dhe Vardarit.
Java e 15-të u mbyll me takimin Pelisteri – Shkëndija me fitoren e ekipit tetovar. Golin e vetëm për Shkëndijën e shënoi Florent Ramdani në minutën e 36-të të pjesës së parë.